Policia e Shtetit paralajmëron qytetarët për një fushatë mashtruese me email-e të rreme që përdorin emrin e Drejtorit të Përgjithshëm Ilir Proda dhe kërkon që të mos u kthehet përgjigje këtyre mesazheve.
Një seri sulmesh kibernetike kanë vënë në shënjestër institucionet shqiptare, duke përfshirë këtë herë edhe Policinë e Shtetit. Autoritetet kanë zbuluar disa adresa elektronike të falsifikuara që përdorin identitetin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Ilir Proda, për t’u dërguar qytetarëve email-e kërcënuese.
Mesazhet, që pretendojnë të jenë nga “struktura të Hetimit të Krimeve Kibernetike”, njoftojnë marrësit se janë nën hetim për “krime në fushën e narkotikëve” dhe u kërkojnë të paraqiten brenda 24 orëve në polici. Policia ka bërë të ditur se bëhet fjalë për një mashtrim të pastër dhe ka këshilluar qytetarët të mos i hapin apo shpërndajnë këto email-e.
Në njoftimin zyrtar theksohet se “Policia e Shtetit nuk komunikon për hetime përmes adresave elektronike” dhe se “asnjë strukturë policore nuk mund të thërrasë qytetarët pa një ftesë zyrtare, të firmosur dhe të protokolluar.”
Sipas autoriteteve, qëllimi i autorëve është përhapja e panikut dhe marrja e të dhënave personale të qytetarëve. Drejtoria e Hetimit të Krimeve Kibernetike ka nisur hetimet për identifikimin e grupit që qëndron pas këtij sulmi, ndërsa Policia thekson se rasti është trajtuar me urgjencë për të parandaluar dëme të mundshme më të mëdha.
Ky është një nga rastet më të sofistikuara të phishing-ut të regjistruar kohët e fundit në vend, që synon të godasë besimin e qytetarëve tek institucionet shtetërore.
