SPAK ka intensifikuar hetimet për kalimin e pronave të ushtrisë në përdorim tek subjekte private me kontrata qiraje dhe konçesionare PPP (Partneritet Publik Privat). Siç shihet edhe në videon e sigurisë publikuar nga weblajm.com, me një dosje në duar, dy ditë më parë në ambientet e SPAK është paraqitur ish-shefi i Postës Sekrete në Ushtri.
Burime konfirmojnë se bëhet fjalë për Nënkolonel Ndriçim Hysën, një funksionar të lartë të Forcave të Armatosura. Ai iu përgjigj fletëthirrjes së SPAK dhe ka dhënë dëshmi për rreth tre orë përpara hetuesve të BKH-së.
Thirrja e ushtarakut vjen vetëm pak ditë pasi SPAK bastisi ambientet e disa të dyshuarve në këtë aferë, mes tyre ish-drejtoresha e kabinetit të ish-ministres së Mbrojtjes Olta Xhaçka, administratori i “Marina Bay Saranda” dhe biznesmeni Artan D.
Edhe pse Hysa nuk mban më detyrën e shefit të sekretarisë së Postës Sekrete, ai vijon të jetë një ushtarak i lartë në karrierë pranë Forcave të Armatosura. Ky hetim në SPAK ndiqet nga prokurore Manjola KAJANA.
