Një dron i paidentifikuar është konstatuar duke iu afruar hapësirës ajrore të Turqisë, duke ngritur alarmin e autoriteteve ushtarake. Si masë parandaluese, ushtria turke ngriti në ajër një avion luftarak F-16, i cili neutralizoi objektivin në një “zonë të sigurt”, jashtë zonave të banuara, për të shmangur çdo rrezik për civilët.
Më vonë, Ministria turke e Mbrojtjes bëri të ditur se objekti i shkatërruar ishte një dron që kishte “dalë jashtë kontrollit”. Megjithatë, në deklaratën zyrtare nuk u specifikua se kujt i përkiste droni apo nga ishte nisur ai.
Autoritetet turke nuk kanë dhënë ende detaje shtesë mbi origjinën e mjetit ajror, ndërsa ngjarja ka ngritur pikëpyetje mbi sigurinë ajrore në rajon. Hetimet pritet të vijojnë për të sqaruar plotësisht rrethanat dhe burimin e dronit.
