Autoritetet gjermane ndaluan përkohësisht trafikun ajror në Berlin Brandenburg pasi u raportuan dronë në hapësirën ajrore; disa fluturime u devijuan drejt qyteteve të tjera.
Aeroporti ndërkombëtar Berlin Brandenburg u përfshi të premten mbrëma në një incident të pazakontë, pasi autoritetet u detyruan të ndalonin përkohësisht të gjitha ngritjet dhe uljet e avionëve për shkak të shfaqjes së disa dronëve të paidentifikuar në afërsi të pistës veriore.
Sipas zëdhënësit të aeroportit, trafiku ajror u pezullua nga ora 20:08 deri në 21:58, ndërsa një numër i konsiderueshëm fluturimesh u devijuan drejt qyteteve të tjera gjermane si Hamburg dhe Mynih. Për të shmangur kaosin në oraret e pasagjerëve, autoritetet vendosën përkohësisht të pezullojnë ndalimin e fluturimeve të natës, që normalisht është në fuqi në Berlin.
Një dëshmitar kishte raportuar i pari praninë e një droni rreth orës 20:00, ndërsa patrullat policore që dolën në terren konfirmuan se kishin parë pajisjen, por nuk arritën ta lokalizojnë. Në operacion u përfshi edhe një helikopter i policisë federale, si dhe Zyra Federale e Aviacionit për të vlerësuar rrezikun.
Ndër fluturimet e ndikuara ishin ato drejt Baselit, Oslos dhe Barcelonës, që nuk mundën të niseshin, ndërsa një avion që vinte nga Londra u detyrua të devijohej drejt Hamburgut. Po ashtu, disa fluturime nga Stokholmi, Antalia dhe Helsinki nuk arritën të uleshin në Berlin.
Aeroporti u bëri thirrje udhëtarëve të kontrollojnë statusin e fluturimeve pranë linjave ajrore përkatëse, pasi vonesat mund të zgjasin edhe orët në vijim.
Në Gjermani, dronët janë të ndaluar brenda një rrezeje 1.5 kilometërshe nga çdo aeroport për arsye sigurie. Shkelja e këtij rregulli mund të sjellë ndëshkime të ashpra penale për ndërhyrje në aviacionin civil.
Raste të ngjashme janë regjistruar së fundmi edhe në Danimarkë, Norvegji dhe Poloni, ndërsa në fillim të tetorit, aeroporti i Mynihut u detyrua të mbyllej dy herë për shkak të dronëve, duke prekur mijëra pasagjerë.
Autoritetet gjermane po hetojnë nëse incidenti i Berlinit lidhet me ndonjë akt provokues ose testim të qëllimshëm në kuadër të shqetësimeve për kërcënime hibride në hapësirën ajrore europiane.
