Sëmundjet jo të transmetueshme (SJT), të cilat prej vitesh përbëjnë shkakun kryesor të vdekshmërisë dhe barrës ekonomike në Shqipëri, janë në qendër të programit kombëtar që synon frenimin e faktorëve të rrezikut dhe uljen e vdekshmërisë së parakohshme deri në vitin 2030
Strategjia e përditësuar, që harmonizohet me kornizën globale të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, mbështetet në analizën e situatës, provat shkencore dhe progresin e deritanishëm, ndërsa synon të reduktojë presionin në rritje që këto sëmundje i shkaktojnë ekonomisë dhe sistemit shëndetësor.
Objektivat vendosin një ritëm të përshpejtuar uljeje të vdekshmërisë së parakohshme: 5% në vit deri në 2023, 10% deri në 2025 dhe 25% deri në vitin 2030, krahasuar me nivelin bazë të vitit 2010, në linjë me Qëllimet e Zhvillimit të Qëndrueshëm.
Për një vend ku SJT-të përbëjnë mbi 90% të vdekjeve dhe rëndojnë financat familjare përmes shpenzimeve të larta nga xhepi, arritja e këtyre objektivave është e lidhur ngushtë me qëndrueshmërinë e sistemit shëndetësor.
Në fushën e faktorëve të rrezikut, strategjia synon ulje të dukshme në disa prej indikatorëve kryesorë. Duhanpirja pritet të reduktohet me 20% deri në vitin 2030, përmes frenimit të rritjes së konsumit tek femrat, uljes së prevalencës tek të rriturit dhe zbutjes së trendit alarmant.
Sa i përket obezitetit, objektivi është të ndalet rritja e tij, në një kohë kur kostot që burojnë prej tij – nga diabeti tek sëmundjet kardiovaskulare – po rëndojnë gjithnjë e më shumë mbi familjet dhe mbi fondet publike.
Strategjia parashikon gjithashtu ulje me 10% të sedentarizmit tek fëmijët dhe të rinjtë, një nga faktorët me ndikimin më afatgjatë në barrën ekonomike të SJT-ve.
Për hipertensionin, synohet një ulje e prevalencës me 10% në popullatën adulte, me fokus tek grupmoshat mbi 50 vjeç dhe tek të rinjtë, duke rritur gjithashtu ndërgjegjësimin për diagnozën e hershme. Në rastin e diabetit, objektivi është ndalimi i rritjes së prevalencës.
Një komponent i rëndësishëm i strategjisë lidhet me vetë kapacitetin e sistemit shëndetësor, i cili, nëse nuk përforcohet, rrezikon të mos përballojë rritjen e kërkesës për trajtim kronik.
