
Një deklaratë ironike e një gjykatësi britanik ka ndezur debat pas komenteve të tij gjatë një seance në Gjykatën e Lartë të Exeter, ku ai vuri në dyshim justifikimet e përsëritura të shtetasve shqiptarë të përfshirë në veprimtari kriminale në Britani.
Gjatë gjykimit të Ilber Gjokës, 30 vjeç, i arrestuar në Barnstaple, Devon, me 11 qese kokainë dhe para cash, gjykatësi James Patrick u shpreh me sarkazëm: “Duhet të ketë shumë njerëz të sëmurë në Shqipëri”, duke iu referuar arsyetimeve të shpeshta të të pandehurve shqiptarë që thonë se janë detyruar të merren me drogë për të ndihmuar familjarët e sëmurë.
“Duket sikur çdo rast që dëgjoj përfshin një histori të ngjashme për ndihmë ndaj një prindi të sëmurë. Shqipëria, mesa duket, nuk ka një sistem shëndetësor publik,” -shtoi gjykatësi me tone ironike, duke ngritur pikëpyetje mbi përdorimin e këtyre justifikimeve si përpjekje për të lehtësuar dënimin.
Në të njëjtën ditë, gjykatësi kishte dënuar edhe një tjetër shqiptar, Argent Bala, për kultivim kanabisi, rast që, sipas tij, u shoqërua me të njëjtin argument.
Ilber Gjoka, pa precedentë penalë në Britani, pranoi menjëherë fajin dhe u dënua me 20 muaj burg për posedim dhe shpërndarje të substancave narkotike. Ai do të vuajë rreth 40% të dënimit, pas së cilës mund të përballet me dëbim nga Mbretëria e Bashkuar.
Deklaratat e gjykatësit Patrick kanë ngjallur reagime të ndryshme në opinionin publik, me disa që i konsiderojnë ato si të padrejta dhe paragjykuese ndaj shqiptarëve, ndërsa të tjerë si një sinjal për përdorimin e tepërt të justifikimeve të ngjashme në proceset penale kundër tyre.