Kreu i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Altin Dumani zhvilloi një vizitë dyditore në Bruksel.
Gjatë kësaj vizite, Dumani u takua me zyrtarë të lartë të BE-së: Gert Jan Koopman, Drejtor i Përgjithshëm i DG NEAR; Salla Saastamoinen, Drejtoreshë në detyrë e Përgjithshme në OLAF; Irena Moozová, Zëvendësdrejtoreshë e Përgjithshme e DG JUST; Marko Makovec, Shef i Kabinetit të Komisioneres për Zgjerimin Marta Kos dhe Alexander Ëinterstein, Shef i Kabinetit të Komisionerit për Punët e Brendshme dhe Migracionin, Magnus Brunner.
Delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranën bëri të ditur se, vizita dëshmon për arritjet e SPAK-ut në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Të gjithë bashkëbiseduesit vlerësuan forcën, qëndrueshmërinë dhe besueshmërinë e SPAK-ut, si dhe bashkëpunimin e tij të ngushtë me agjencitë e BE-së, vendet anëtare dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë.
Ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Silvio Gonzato u shpreh se, “BE-ja ka qenë dhe do të mbetet një mbështetëse e fortë e SPAK-ut në luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit të nivelit të lartë dhe mashtrimit, si dhe në mbrojtjen e interesave financiare të BE-së.
“Ruajtja e rezultateve solide të SPAK-ut edhe nën drejtimin e tij të ri në vitin 2026 e më tej do të jetë kyçe për vazhdimin e progresit të Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE”, tha Gonzato.
“Kjo është e rëndësishme për sigurinë e Shqipërisë dhe të BE-së dhe për forcimin e sundimit të ligjit. SPAK-u nuk mund ta bëjë këtë i vetëm. Edhe institucionet e tjera shqiptare duhet të bëjnë pjesën e tyre”, theksoi Gonzato.
