Pas dy dekadash pas hekurave dhe refuzimit të Gjykatës së Strasburgut, 42-vjeçari Durim Leka po përpiqet sërish të fitojë lirinë, duke kërkuar që dënimi i tij të zëvendësohet me lirimin me kusht.
Pas 20 vitesh burg, Durim Leka, i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e kambistit Agim Sulo në vitin 2005 në Delvinë, po kërkon sërish lirinë. Nga qelia e burgut të sigurisë së lartë në Drenovë, ai ka paraqitur kërkesën e tij në Gjykatën e Korçës për “lirim me kusht”. Seanca gjyqësore pritet të zhvillohet më 17 nëntor, nën drejtimin e gjyqtarit Estjon Venxha.
Leka, i cili në kohën e krimit ishte vetëm 22 vjeç, është dënuar me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Sarandës, dënim që është lënë në fuqi nga të gjitha shkallët e gjyqësorit dhe më vonë konfirmuar edhe nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut në Strasburg. Ai kishte kërkuar ulje dënimi edhe më herët, por pa rezultat.
Ngjarja që tronditi Delvinën ndodhi më 23 gusht 2005. Sipas dosjes hetimore, Leka kishte planifikuar të grabiste kambistin Agim Sulo, të cilit i kishte kërkuar të shkëmbenin 8,000 euro në lekë, edhe pse nuk i zotëronte paratë. Sulo kishte shkuar në fshatin Shijan së bashku me vëllain e tij, Pëllumbin. Në një shtëpi të braktisur, Leka kishte tentuar t’u merrte paratë me armë në dorë, por situata kishte degjeneruar në vrasje.
Agim Sulo u qëllua për vdekje, ndërsa vëllai i tij arriti të shpëtonte. Pas ngjarjes, Leka u largua nga vendi i krimit dhe më pas, sipas përgjimeve të fshehta të regjistruara nga policia, kishte pranuar se armën e kishte hedhur në det pranë “Grand Hotel” në Sarandë. Ai u arrestua katër ditë më vonë dhe gjatë marrjes në pyetje pranoi autorësinë e vrasjes, duke thënë se i duheshin paratë për dasmën e motrës.
Gjykata e Sarandës e dënoi fillimisht për vrasje me paramendim dhe tentativë vrasjeje, ndërsa më pas Apeli e rikonfirmoi dënimin me burgim të përjetshëm për “vjedhje me pasojë vdekjen” dhe “armëmbajtje pa leje”.
Në vitet që pasuan, Leka ka bërë disa përpjekje për të rishikuar dënimin e tij, përfshirë edhe ankime në Gjykatën Kushtetuese dhe në Strasburg, por të gjitha janë rrëzuar. Vendimi i fundit i Strasburgut, në mars 2024, la në fuqi dënimin, duke vlerësuar se procesi gjyqësor ndaj tij kishte qenë i drejtë.
Pas dy dekadash në qelitë e burgut të Drenovës, i dënuari kërkon të provojë se është rehabilituar dhe meriton një shans të dytë për liri, kërkesë që pritet të shqyrtohet muajin e ardhshëm nga Gjykata e Korçës.
