
Policia Kufitare zbulon 240 shishe verë dhe 15 celularë të fshehur në automjete që hynin dhe dilnin nga Shqipëria.
Kontrollet e shtuara në Portin e Durrësit kanë çuar në goditjen e dy rasteve të kontrabandës, ku autoritetet zbuluan mallra të fshehura në automjete që tentonin të hynin ose të dilnin nga territori shqiptar.
Gjatë një kontrolli rutinë në hyrje të vendit, Policia Kufitare arrestoi A. Gj., 48 vjeç, banues në Durrës. Në kamionin që drejtonte, u gjetën 240 shishe verë të futura pa deklarim doganor, të dyshuara për kontrabandë.
Ndërkohë, në një rast tjetër, shërbimet kufitare kanë referuar në Prokurori procedim penal në gjendje të lirë për Y. S., banues në Lushnjë, pasi në furgonin që drejtonte, gjatë daljes nga Shqipëria, u zbuluan 15 celularë të fshehur dhe një sasi e konsiderueshme produktesh ushqimore, gjithashtu të dyshuara si mallra të kontrabanduara.
Të dy dosjet i janë kaluar Prokurorisë së Durrësit për hetime të mëtejshme.
