
Operacioni policor “Full Scan” çon në pranga një 42-vjeçar nga Vlora, i cili u kap me kokainë, armë dhe shuma parash të padeklaruara në Portin e Durrësit.
Në Portin e Durrësit është finalizuar një tjetër operacion antidrogë, ku policia sekuestroi 92 gramë kokainë, një pistoletë me pesë krehra, bizhuteri të shumta dhe 29 000 euro të padeklaruara. Në ngjarje u arrestua shoferi i autobusit, shtetasi D. F., 42 vjeç, banues në Vlorë.
Operacioni i koduar “Full Scan” u zhvillua nga Drejtoria Vendore e Policisë Durrës, në bashkëpunim me Policinë Kufitare të Portit dhe autoritetet doganore, bazuar në informacione operative për tentativë futjeje të lëndëve narkotike dhe mallrave të paligjshme.
Gjatë kontrollit fizik në vijën e dytë të kalimit kufitar, policia gjeti lëndën narkotike në çantën marsup të të arrestuarit. Ndërsa brenda autobusit, në një çantë shpine, u sekuestruan shuma monetare, armë zjarri dhe bizhuteri, të dyshuara si flori.
42-vjeçari akuzohet për disa vepra penale, përfshirë trafikim narkotikësh, trafikim armësh, kontrabandë mallrash me regjim të veçantë, mosdeklarim të të hollave në kufi, pastrim parash dhe fshehje të të ardhurave.
Policia dhe Prokuroria vijojnë hetimet për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.
