
Me një peticion prej 800 firmash, qytetarët kërkojnë ndërhyrje urgjente, plan afatgjatë kanalizimesh dhe dëmshpërblim për dëmet.
Banorët e Durrësit të Ri po jetojnë në ankth pas dy përmbytjeve brenda një viti, më 29 janar dhe 11 shtator. Për ta, ky nuk është më një fenomen natyror i rastësishëm, por një kërcënim i vazhdueshëm ndaj jetesës dhe pronës së tyre. Sot, ata kërkojnë me ngulm ndërhyrje të menjëhershme dhe një strategji afatgjatë nga Bashkia e Durrësit.
Në një deklaratë publike të shoqëruar nga një peticion me 800 firma, qytetarët i janë drejtuar institucioneve vendore me kërkesa të qarta:
- Ndërhyrje urgjente për pastrimin e kanaleve dhe kolektorëve të ujërave.
- Hartimin e një plani të qëndrueshëm për sistemin e kanalizimeve (ujërat e bardha dhe të zeza) dhe mirëmbajtjen periodike të tyre.
- Mbështetje financiare dhe materiale për familjet dhe bizneset e dëmtuara, përmes fondeve emergjente.
Sipas banorëve, ky fenomen nuk është më thjesht një telash ekonomik, pasi:
Përbën rrezik për shëndetin publik.
Cënon të drejtat themelore të qytetarëve.
Rrezikon të përsëritet çdo stinë shiu, duke i lënë ata të pambrojtur
Ky është një test serioz për Bashkinë e Durrësit: a do të veprojë vetëm me ndërhyrje kozmetike, apo do të ndërtojë një zgjidhje reale dhe afatgjatë për qytetarët?