
Prefekti Emiljan Jani alarmon për situatë kritike, të dënuarit zhvendosen dhe nis ndërhyrja emergjente
Situata e përmbytjeve në Durrës vijon të jetë tepër e rëndë, ndërsa reshjet intensive të shiut kanë përfshirë rrugë, lagje dhe institucione publike. Uji ka pushtuar zona të tëra të qytetit dhe nuk ka kursyer as ambientet e burgut të Durrësit.
Prefekti i qarkut, Emiljan Jani, ka bërë të ditur se si pasojë e përmbytjeve janë përmbytur tetë qeli në institucionin e vuajtjes së dënimit. Sipas tij, niveli i ujit në katin e parë ka arritur deri në 10–15 centimetra, duke detyruar autoritetet të zhvendosin të gjithë të dënuarit në katin e dytë për arsye sigurie.
“Situata është shumë e rëndë. Tetë familje janë evakuuar dhe janë strehuar në Kavalishencë. Ndërkohë janë përmbytur 8 qeli dhe po dërgohen pompa për largimin e ujit pasi është përmbytur burgu”, ka deklaruar prefekti, duke theksuar se ndërhyrja është emergjente.
Në ndihmë të situatës kanë mbërritur mjete zjarrfikëse nga Tirana, ndërsa po përdoren pompa thithëse për të larguar ujin nga ambientet e përmbytura. Strukturat e emergjencave civile ndodhen në terren dhe po punojnë për vënien nën kontroll të situatës.
Ndërkohë, përmbytjet kanë detyruar edhe evakuimin e disa familjeve nga banesat e tyre, ndërsa autoritetet lokale vijojnë monitorimin e vazhdueshëm, në kushtet kur reshjet e shiut pritet të vijojnë edhe në orët në vijim.
