
Përplasja mes makinës së Policisë dhe një automjeti tip Benz ndodhi në afërsi të zonës së quajtur “Kështjella”. Shkak dyshohet të jenë kushtet e vështira atmosferike.
Dy efektivë policie kanë mbetur të plagosur mesditën e sotme në aksin rrugor Fier-Patos, pas një përplasjeje mes automjetit të patrullës dhe një mjeti tip Benz. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 15:10, teksa të dy automjetet udhëtonin në kahe të kundërta dhe janë përplasur në afërsi të vendit të quajtur “Kështjella”. Efektivët u dërguan menjëherë në spitalin rajonal të Fierit, ku po marrin ndihmën e nevojshme mjekësore. Mjeti Benz dyshohet se është drejtuar nga një grua, e cila gjithashtu ka marrë lëndime të lehta. Paraprakisht dyshohet se kushtet e pafavorshme atmosferike, veçanërisht reshjet e shumta të shiut që kanë vijuar për orë me radhë, kanë ndikuar në shikueshmërinë dhe kontrollin e mjeteve në rrugë. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për të sqaruar plotësisht rrethanat dhe shkakun e aksidentit.
