

Tragjedia në Neufchâtel-Hardelot rrit në 25 numrin e viktimave, këtë vit, nga kalimet e rrezikshme drejt Britanisë.
Dy persona humbën jetën në orët e para të së shtunës gjatë një tentative të rrezikshme për të kaluar në mënyrë të paligjshme Kanalin e La Manshit, në jug të Boulogne-sur-Mer. Tragjedia ndodhi pranë plazheve të Neufchâtel-Hardelot, ku rreth njëqind emigrantë u përpoqën të niseshin drejt brigjeve britanike, me një gomone të improvizuar.
Autoritetet franceze njoftuan se rreth gjashtëdhjetë persona u shpëtuan dhe po marrin ndihmë nga shërbimet e mbrojtjes civile. Kjo ngjarje e rëndë e çon në të paktën 25 numrin e emigrantëve që kanë humbur jetën gjatë këtij viti, në përpjekjet për të kaluar Kanalin, sipas të dhënave zyrtare të mbledhura nga AFP.
Vetëm më 9 dhe 10 shtator, tre migrantë u gjetën të vdekur, të shtypur në fundin e një gomoneje të nisur nga Sangatte, ndërsa tre të tjerë rezultojnë ende të zhdukur. Këto kalime shpesh kryhen me varka të vogla dhe të mbipopulluara, që i ekspozojnë emigrantët ndaj rreziqeve të mëdha fatale.