
Vdekja e 23-vjeçares Julia Marie Gaiser në Salzburg dhe 15-vjeçares Matilda Ferrari në Trentino tronditi botën e patinazhit artistik. Dy vajza të talentuara, dy rrugë që duket se u kryqëzuan përtej akullit, mes pasionit, ambicies dhe presionit të padukshëm të konkurrencës.
Në një javë që do të mbahet mend gjatë në Evropën qendrore, bota e patinazhit artistik u përfshi nga një trishtim i thellë, pas vdekjes së dy vajzave të reja, Julia Marie Gaiser nga Brixen dhe Matilda Ferrari nga Trentino. Dy ngjarje të ndara në hapësirë, por të lidhura nga i njëjti fat tragjik dhe ndoshta, nga e njëjta arenë e padukshme: konkurrenca e pamëshirshme e sportit elitar.
Julia Marie Gaiser, një patinazhiere me përvojë, e njohur për elegancën dhe disiplinën e saj, u përplas për vdekje nga një kamion, teksa lëvizte me biçikletë. Një aksident i rëndë që tronditi komunitetin sportiv dhe universitar, ku ajo studionte dhe stërvitej. Në Brixen, ku kishte hedhur hapat e parë në akull, e kujtojnë si “një engjëll me patina që nuk lodhej kurrë”.
Vetëm pak ditë më pas, në Val Rendena, u shua jeta e Matilda Ferrari, një vajzë vetëm 15 vjeçe, që njihej në qarqet sportive si “shpresa e re e Italisë në patinazh”. E përkushtuar, ambicioze, e talentuar, e ardhmja e saj dukej e shkruar mbi akullin që tani është shndërruar në simbol zie. “Giustino ka humbur një yll,” -tha kryebashkiaku Manuel Cosi me lot në sy.
Por ndërsa komunitetet qajnë humbjen e tyre, në qarqet sportive nis të shtrohet një pyetje e hidhur: a është kjo vetëm rastësi, apo një paralajmërim për trysninë e padukshme që mbart sporti modern, sidomos në disiplinat e artit të akullit?
Burime nga klubet lokale të patinazhit flasin për një konkurrencë të fortë mes talenteve të rinj, ku edhe Julia dhe Matilda kishin marrë pjesë në disa gara ndërkombëtare të njëjta. Për disa, ato ishin “mikeshat e akullit”, për të tjerë, dy emra në rritje që garonin për të njëjtën ëndërr, përfaqësimin e Italisë në garat evropiane të sezonit të ardhshëm.
Tashmë, kjo ëndërr është shuar. Dy vajza që ndanin të njëjtin pasion, të njëjtin vend në podium, të njëjtën shpresë për të arritur lart, janë bërë simbol i një bote ku arti dhe ambicia takohen në një vijë të hollë, mes lavdisë dhe humbjes.
Në Brixen dhe Trentino, Klube, trajnerë e sportistë ndezin qirinj pranë pistave ku dikur Julia dhe Matilda rrëshqisnin me buzëqeshje. Dhe ndërsa dritat e sallave fiken, mbetet një pyetje që askush s’e guxon ta thotë me zë të lartë:
Ishte kjo një rastësi tragjike… apo një shenjë se edhe ëndrrat, ndonjëherë, mund të përplasen?