Prokuroria Federale e Belgjikës ka kryer një operacion të gjerë hetimor pas kërcënimeve serioze që prej muajit korrik janë drejtuar ndaj prokurorit publik Julien Moinil, i njohur për luftën e tij ndaj trafikut të drogës. Për shkak të rrezikut të lartë, Moinil u vendos nën mbrojtje policore, ndërsa niveli i kërcënimit ndaj tij u ngrit në shkallën 4 – nivelin maksimal të alarmit.
Hetimet kanë treguar se kërcënimet dyshohet se vijnë nga individë të lidhur me botën kriminale shqiptare, të implikuar në trafikun e organizuar të drogës. Për çështjen janë vënë në dispozicion burime të konsiderueshme operative dhe teknike.
Të martën, policia ndërmori 18 bastisje në Bruksel dhe Leuven, duke ndaluar tetë persona dhe sekuestruar disa sende të rëndësishme për hetimin. Të dyshuarit u morën në pyetje gjatë orëve të fundit, por më pas u lanë të lirë.
Sipas Prokurorisë Federale, lirimi u vendos pasi në këtë fazë nuk ka prova të mjaftueshme për të justifikuar arrestimin e tyre. Hetimet po vijojnë, përfshirë analizën e materialeve të sekuestruara, ndërsa autoritetet nuk japin detaje të tjera për shkak të ndjeshmërisë së çështjes.
