
Një vizitë rutine për pastrimin e dhëmbëve përfundoi në humbjen e jetës së një fëmije; ekspertiza italiane zbardh detaje tronditëse.
Ngjarja e rëndë që tronditi vendin ka marrë një zhvillim të ri. Mjeku Roland Xhaxho është arrestuar nën akuzën “vrasje nga pakujdesia” për vdekjen e 3-vjeçarit Brian Spahiu, i cili humbi jetën pas një ndërhyrjeje dentare në një klinikë private në Tiranë.
Bashkë me të, janë arrestuar edhe Ina Xhaxho dhe Marta Gina, pas publikimit të akt-ekspertizës mjekoligjore nga Italia, një raport prej 200 faqesh që përcaktoi shkaqet e sakta të vdekjes.
Prokuroria po mban rezervë mbi detajet për të mos dëmtuar hetimet, ndërsa familja e Brianit kërkon drejtësi dhe transparencë.
Ngjarja ndodhi në një klinikë në Rrugën e Kavajës, ku fëmija u dërgua për pastrim dhëmbësh, por pas sugjerimit të mjekut iu bë anestezi totale, nga e cila nuk u zgjua më.
Një tragjedi që ka lënë pa fjalë gjithë vendin dhe ka ringjallur debatin për kontrollet në klinikat private dhe përgjegjësinë mjekësore.