
46-vjeçari, i dënuar për vrasje dhe gjobëvënie, është sërish në qendër të një skandali pas akuzave për përndjekje ndaj një të miture që tentoi vetëvrasje në Tiranë.
Emri i Jetmir Llanajt është rikthyer sërish në qendër të kronikës së zezë. 46-vjeçari, aktualisht i burgosur për gjobëvënie ndaj bizneseve, akuzohet se ka përndjekur një vajzë 16-vjeçare, e cila mëngjesin e sotëm tentoi të vetëvritej në Tiranë në gjendje të rënduar psikologjike.
Sipas burimeve hetimore, vajza kishte qenë në një marrëdhënie me Llanajn përpara se ai të arrestohej, por pas prishjes së lidhjes, ai ka vijuar ta ndjekë dhe ta kontrollojë përmes personave të tjerë edhe nga burgu. Kjo situatë e ka çuar të miturën drejt një gjendjeje të rëndë emocionale, duke e shtyrë të dëmtonte veten me mjet prerës.
Jetmir Llanaj është një emër i njohur për drejtësinë shqiptare. Në korrik të vitit 2021 ai u dënua për vrasjen e Mark Shkretës në rrugën “Hoxha Tahsim” në Tiranë, një krim që u cilësua si hakmarrje, pasi djemtë e viktimës kishin vrarë më herët djalin e tij 9-vjeçar. Për këtë ngjarje, ai dhe vëllai i tij, Muharrem Llanaj, morën nga 25 vite burg secili.
Përveç kësaj, Llanaj është lidhur edhe me një atentat të ndodhur në vitin 2012 në fshatin Shpërdhet të Fushë-Mamurrasit, ku mbeti i vrarë Gentian Shkreta, djali i viktimës së mëparshme, Mark Shkreta.
Në mars të këtij viti, 46-vjeçari u arrestua sërish nga policia, kësaj here për akuzën e gjobëvënies ndaj disa bizneseve në Tiranë. Megjithatë, edhe pse prapa hekurave, ai ka arritur të mbajë kontakte dhe të ushtrojë presion ndaj të tjerëve, sipas hetuesve, përmes rrjeteve të tij të jashtme.
Ngjarja e fundit ka tronditur opinionin publik dhe ka ngritur shqetësime për mënyrën se si të dënuarit me precedentë të rëndë penalë arrijnë ende të ndikojnë jashtë burgut. Policia dhe prokuroria po hetojnë mënyrën se si Llanaj ka komunikuar me të miturën dhe personat që e kanë ndihmuar në përndjekje.
Ndërkohë, vajza ndodhet nën kujdesin e mjekëve dhe po merr trajtim psikologjik, ndërsa hetimet për rastin po vazhdojnë.