Një hetim i gjerë ndërkombëtar ka zbuluar se një dhurues sperme, i cili pa dijeninë e tij mbante një mutacion gjenetik që rrit ndjeshëm rrezikun e kancerit, ka bërë të mundur lindjen e të paktën 197 fëmijëve në të paktën 14 vende europiane, përfshirë edhe Shqipërinë. Zbulimi ka tronditur familjet e prekura dhe ka ngritur sërish shqetësime për rregullimin e tregut ndërkombëtar të spermës.
Dhuruesi, i cili e ka kryer këtë procedurë që prej vitit 2005 kur ishte student, rezultoi të ketë një mutacion në gjenin TP53, i njohur si shkaktar i sindromës së rrallë Li-Fraumeni. Ky mutacion rrit deri në 90% rrezikun për zhvillimin e kancerit gjatë jetës, veçanërisht gjatë fëmijërisë, si dhe tumorëve të gjirit, trurit, kockave dhe leukemisë. Ndërkohë që dhuruesi është vetë i shëndetshëm, pasi mutacioni është i pranishëm vetëm në rreth 20% të spermës së tij, fëmijët e krijuar nga spermatozoidet e prekura e trashëgojnë mutacionin në çdo qelizë të trupit
Disa nga fëmijët e lindur me këtë mutacion tashmë janë diagnostikuar me kancer, ndërsa disa kanë ndërruar jetë në një moshë shumë të re. Mjekët që trajtonin këta fëmijë ngritën alarmin në një konferencë ndërkombëtare të këtij viti, duke vënë re se një numër i madh rastesh të ngjashme po lidheshin me të njëjtin dhurues.
Hetimi, i udhëhequr nga 14 transmetues publik europianë, përfshirë BBC, zbuloi se sperma e dhuruesit është shpërndarë në 67 klinika fertiliteti në vende si Danimarka, Belgjika, Spanja, Gjermania, Greqia, Polonia, Irlanda, Maqedonia e Veriut, Serbia, Hungaria, Gjeorgjia, Islanda, Qiproja dhe Shqipëria. Kjo shpërndarje masive ka ndodhur pavarësisht kufizimeve kombëtare për numrin e familjeve që mund të përdorin spermën e një dhuruesi.
Në Belgjikë, ku limiti është gjashtë familje për dhurues, sperma e tij u përdor nga 38 gra duke sjellë në jetë 53 fëmijë vetëm në atë vend. Sipas Bankës Europiane të Spermës, me seli në Danimarkë, kufizimet “fatkeqësisht” janë shkelur në disa shtete.
