
Marie Tanku thotë se ka katër vite në gjykata për pronën që sipas saj u zhvendos me letra të falsifikuara, ndërsa kërkon ndëshkim dhe rikthim të pasurisë.
Marie Tanku, 88 vjeçe, denoncon se prej katër vitesh po përballet me një proces gjyqësor për banesën e saj në Fier, për të cilën thotë se dokumentet janë falsifikuar në favor të Marjana Tankut, Mauro Tankut dhe Simone Tankut – nusja e dytë e djalit të saj. Ajo deklaron se më 24 nëntor 2022 ka qenë viktimë e dhunës fizike nga nusja, ndërsa pretendon se pasurisë i janë bërë ndryshime pronësore në mënyrë të paautorizuar.
Sipas rrëfimit të saj, përmes dokumenteve të falsifikuara pranë një notereje, pronësia është transferuar te familja Minolamaj për llogari të Aleksandër Llazi Tankut, të afërm i bashkëshortit të ndjerë. E moshuara akuzon edhe zyrtarë të ASHK Fier, mes tyre ish-drejtorin Everest Kazheli dhe Ervin Çelën, duke thënë se veprimet janë lehtësuar nga punonjës publikë. Ajo përmend gjithashtu funksionarë të Bashkisë Fier, mes tyre drejtorin Arben Dimo dhe inspektorin e IMT-së, Besnik Shanaj, të cilët i akuzon për shpërdorim detyre dhe veprime në favor të palëve të tjera, pavarësisht se prona është ende në gjyq.
Tanku thotë se në truallin e saj janë bërë prishje dhe ndërtime pa vendim gjyqësor dhe pa leje ndërtimi, duke e lënë, sipas saj, pa mbrojtje institucionale. Ajo kërkon ndërhyrje urgjente të organeve të drejtësisë, verifikim të çdo dokumenti të kryer mbi pronën dhe rikthimin e saj.
Çështja mbetet në shqyrtim nga gjykatat, ndërsa akuzat kërkojnë hetim për të qartësuar nëse ka falsifikim dokumentesh dhe abuzim me detyrën publike.
