Një 20-vjeçare nga Indonezia ka braktisur foshnjën që sapo kishte lindur në një banesë në kryeqytet, ndërsa policia ka nisur hetimet edhe për katër bashkëkombëset e saj që ndodheshin me të dhe nuk raportuan rastin në autoritete.
Një ngjarje e rëndë ka tronditur Tiranën, ku një e re indoneziane, vetëm 20 vjeç, ka lindur foshnjën e saj në një banesë dhe më pas e ka braktisur aty. Sipas të dhënave zyrtare, bashkë me të kanë qenë edhe katër gra të tjera nga Indonezia, të moshave nga 19 deri në 29 vjeç, të cilat nuk kanë njoftuar policinë për rastin.
Policia e Komisariatit Nr.1 ka referuar materialet në Prokurori, ku ka nisur procedimi në gjendje të lirë për të gjitha pesë gratë. Dyshohet se 20-vjeçarja, me inicialet A.P., ka kryer lindjen në kushte shtëpie dhe më pas ka lënë foshnjën pa kujdes në banesë. Katër mikeshat e saj ; A.W. (29 vjeçe), B.L. (20 vjeçe), S.F. (28 vjeçe) dhe P.G. (19 vjeçe), akuzohen për moskallëzim krimi.
Ende nuk janë bërë publike detaje mbi gjendjen shëndetësore apo fatin e foshnjës, ndërsa autoritetet po vazhdojnë hetimet për të zbardhur motivet dhe rrethanat e plota të ngjarjes që ka tronditur opinionin publik.
