Një stjuardese me origjinë greke humbi jetën, pas rrëzimit të avionit me të cilin ajo po punonte, i cili u përplas në Ankara dy ditë më parë. Lidhur me tragjedinë, të afërmit dhe miqtë shprehen të pikëlluar nga vdekja e Maria Pappa-s. Ndërkohë, partneri i 42-vjeçares, ka treguar fjalët e fundit që ajo shkëmbeu para ngjarjes tragjike.
“Folëm për herë të fundit natën para fluturimit të saj të fundit. Ajo më tha: ‘Të dua. Do të flasim kur të mbërrij’. Jeta ime iku dhe nuk u kthye më kurrë. Unë dhe Maria u njohëm në kompaninë Olympic në vitin 2006 dhe që atëherë ishim bashkë.
Kishim fluturuar disa herë së bashku. Pas Olympic, ajo punoi në rreth 15 kompani të ndryshme. Kjo ishte hera e parë që punonte për këtë kompani. Maria nuk kishte frikë. Në këtë profesion nuk ka vend për frikë. Nëse ke frikë, nuk hipën në avion”, tha partneri i 42-vjeçares.
Edhe vëllai i saj i ka kushtuar një mesazh prekës 42-vjeçares.
“Nuk ka fjalë për të përshkruar atë që do të doja të thosha për ty. Ishe personi më i dhembshur, i sjellshëm, zemërmirë dhe i butë, gjithmonë e karakterizuar nga bujaria. Ti ishe gëzimi i jetës. Të dua, motra ime e vogël. Kujdesu për mamin”, u shpreh i vëllai.
Maria Pappa kishte nisur të punonte si stjuardese që në moshë shumë të re, pothuajse menjëherë pas përfundimit të shkollës. Fluturimi ishte ëndrra e saj e fëmijërisë, të cilën, siç u kishte treguar familjarëve, kishte arritur ta kthente në realitet.
