

52-vjeçari gjerman shpëton mrekullisht pasi bie nga ballkoni në Tiranë, policia dyshon për aksident.
Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur këtë mëngjes në kryeqytet, ku një shtetas gjerman ka rënë nga ballkoni i dhomës, në rrugën “Jordan Misja”, ku po qëndronte.
52-vjeçari, i identifikuar me inicialet U. K., është transportuar menjëherë në spital nga shërbimet mjekësore. Fatmirësisht, pas ndihmës së parë, ai është jashtë rrezikut për jetën dhe ndodhet në gjendje të stabilizuar.
Policia ka nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e ngjarjes, ndërsa pistat paraprake flasin për një rrëzim aksidental. Hetuesit po marrin në pyetje dëshmitarë dhe personelin e ambienteve ku ishte akomoduar turisti gjerman.