Një punonjës i Sigurimit të Shtetit, Anastas Dushku, ka lënë një dëshmi tronditëse me shkrim, ku përshkruan torturat çnjerëzore të ushtruara ndaj një vajze të pafajshme deri në vdekjen e saj, krime të kryera nga oficerë të po kësaj strukture.
Kjo dëshmi përforcohet edhe nga një dëshmitar tjetër okular, i cili konfirmon jo vetëm aktet e dhunës, por edhe përdhosjen e trupit të pajetë, duke zbuluar një nga faqet më të errëta të terrorit shtetëror komunist.
Më poshtë janë të publikuara këto dy dokumente nga fondi 14 në Arkivin Qendror të Shtetit:
Dokumenti i parë, drejtuar më 20 janar 1949 Komitetit Qendror të Partisë Komuniste, është shkruar nga një punonjës i strukturave të Sigurimit të Shtetit, i quajtur Anastas Dushku. Ai dëshmon se në sytë e tij është torturuar deri në vdekje një vajzë e pafajshme nga oficerët e Sigurimit.
“…nga muaj Prill‑Maj 1945, në ish Batalionin e IV të Brigadës I M.P. (ish Kuestura e vjetër), silleshin të burgosur prej Drejtorisë së Sigurimit dhe mbaheshin në birucat, të cilat i kishte krijuar që me kohë fashizmi. Atëherë kanë sjellë aty të arrestuar edhe një shoqe, për të cilën mësova që ishte anëtare Partie.
Vinin nga Drejtoria e Sigurimit çdo natë oficerë dhe e merrnin në pyetje duke e torturuar gjithë natën. Kështu vazhdoi mjaft kohë dhe dukej se kjo shoqe nuk tregonte gjë. Torturat vazhdonin gjithnjë, derisa një ditë ajo u çmend fare.
Në këtë gjendje e merrnin përsëri në pyetje çdo ditë. Nga jashtë dhomës së pyetjeve dëgjoja që ajo të përsëriste dendur emrin e Partisë.
Kështu të çmendur e mbanin në një birucë të tmerrshme. Ishte katandisur në një gjendje që unë nuk jam në gjendje ta përshkruaj këtu në letër. Dhëmbët e përparmë i kishte të thyer. Ngaqë nuk ishte në mend, ndyente vetveten. Ishte mbushur me morra dhe krimba nga ndyrësira. Nuk mund t’i afroheshe nga era e qelbur që nxirrte. Me këtë pamje ajo i përngjante një shtrige dhe jo një vajze 18‑20 vjeçare.
Por oficerët e Sigurimit vazhdonin ta merrnin në pyetje edhe në këtë gjendje. Me sa mësova, ajo nuk kishte treguar gjë me gjithë torturat barbare që i bënin. Kështu, ata u siguruan që ajo ishte e pafajshme…”
“Nënë, do të vdes nga torturat pa ditur shkakun… Aman çfarë kam bërë që më rrahin kështu… Më janë ngjitur plagët e trupit pas çarçafit të krevatit.”
Pjesa tjetër e historisë tragjike gjendet në dokumentin e dytë, të nënshkruar nga Hamdi Sollaku. Ai shkruan se gruaja quhej Hatlije Tafa dhe ishte arrestuar pa asnjë provë.
“Hatlija u pyet dhe ngaqë mohonte çdo akuzë, u torturua jashtëzakonisht rëndë, sa nuk ngrihej dot nga krevati. Këtë e pa e ëma nga dritarja. Hatlija i kishte hedhur nga dritarja dhëmbët e shkulura nga torturat. Ajo i kishte thënë: ‘Nënë, do të vdes nga torturat pa ditur shkakun…’
Një ditë Hatlijen e dërguan në spital. Kishte pirë helm, por u shpëtua. Rrugës për në burg u hodh nga karroca dhe kërkonte të shkonte në shtëpi.
Më pas u torturua sërish. Duke parë një dritare të hapur, u hodh nga kati i tretë, theu krahun dhe këmbën. U dërgua në spital, ku iu prenë gjymtyrët nga gangrena dhe vdiq. Kufomën nuk ia dorëzuan së ëmës, por e varrosën vetë.”
