
Erika Kirk, bashkëshortja e aktivistit konservator të vrarë, Charlie Kirk, doli për herë të parë publikisht duke shpërthyer në një mesazh të fuqishëm për dashurinë, besimin dhe vazhdimësinë e misionit që ai la pas.
Erika Kirk, e veja e themeluesit të organizatës konservatore Turning Point USA, ka folur për herë të parë pas atentatit që i mori jetën bashkëshortit të saj, Charlie Kirk, dy ditë më parë gjatë një fjalimi në një kampus universitar në SHBA. Në një transmetim live nga studioja e bashkëshortit të saj, ajo shprehu mirënjohje për mbështetjen që ka marrë dhe premtoi se ideali për të cilin ai jetoi do të vazhdojë.
“Dua të falënderoj miqtë e Charliet, në veçanti zëvendëspresidentin JD Vance dhe bashkëshorten e tij, për dashurinë dhe mbështetjen. Ju e nderuat burrin tim duke e kthyer në shtëpi me dinjitet,” tha Erika me zë të dridhur, por me vendosmëri.
Ajo foli me forcë për misionin e burrit të saj, duke theksuar se atentati nuk do ta ndalë lëvizjen që ai ndërtoi. “Ata që e vranë Charlie-n nuk e dinë çfarë kanë bërë. Ata e vranë sepse ai predikonte patriotizëm, besim dhe dashurinë e Zotit. Por zjarri që ndezën do të përhapet në mbarë vendin,” u shpreh ajo.
E veja e aktivistit shtoi se udhëtimet dhe aktivitetet e Turning Point USA do të vazhdojnë sipas planit. “Lëvizja që ndërtoi im shoq nuk do të vdesë. Çdo britmë e kësaj gruaje do të jehonë në botë si një thirrje beteje,” tha ajo mes emocioneve.
Erika kujtoi edhe jetën personale me bashkëshortin e ndjerë, duke e përshkruar si një burrë dhe baba të përkushtuar. “Ai ishte burri i përsosur, babai i përsosur. Çdo ditë ndjej dashurinë e tij edhe pse nuk është më fizikisht këtu.”
Në përfundim, ajo theksoi se Charlie do të kujtohet për guximin, besimin dhe dashurinë ndaj familjes e vendit të tij. “Ai tani qëndron përjetësisht përkrah Shpëtimtarit të tij, me kurorën e martirit,” tha ajo.
Ndërkohë, hetimet për vrasjen e Charlie Kirk po avancojnë, me autoritetet që kanë konfirmuar se një i dyshuar ndodhet në pranga. Zëvendëspresidenti JD Vance falënderoi publikisht forcat e rendit dhe kërkoi që drejtësia të shkojë deri në fund.
Ngjarja ka shkaktuar tronditje të madhe në qarqet politike amerikane, ndërsa figura të njohura konservatore si Riley Gaines dhe senatori Rick Scott kanë përgëzuar kurajon e Erikas, duke e quajtur “një shembull të besimit dhe forcës në mes të dhimbjes”.
