
Pas 10 vitesh dhe 153 milionë euro vjedhje me PPP-në e shëndetësisë, kalimi i shërbimit në shtet shihet si manovër politike për të mbyllur aferën dhe për të zbutur hetimet e SPAK ndaj firmëtarëve kryesorë…
Pas 10 vitesh aferë prej 153 milionë euro fondesh të shëndetësisë, nëpërmjet koncesionit të furnizim-sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale, kryeministri Edi Rama vendosi që ky shërbim t’i hiqet kompanisë private “SaniService Sh.p.k” dhe të kryhet nga shteti.
Me këtë vendim për sterilizimin, Edi Rama po tenton të pastrojë veten nga përgjegjësia penale për sajimin, miratimin dhe përfshirjen në këtë aferë të madhe financiare, me shpresën se do të sfumojë procesin gjyqësor që po kryejnë SPAK dhe Gjykata e Posaçme.
Por më e gëzuar për kalimin e shërbimit të sterilizimit në administrim të Ministrisë së Shëndetësisë është ish-ministrja Ogerta Manastirliu, e cila sipas provave të BKH dhe SPAK rezulton e zhytur në aferën e këtij koncesioni.
Ajo shpreson t’i shpëtojë hetimit, duke menduar se me vendimin për kalimin e sterilizimit në shtet, Edi Rama i vuri “kapak” asaj vjedhjeje të madhe, të shtuar fiktivisht edhe nga ish-ministrja Ogerta Manastirliu.
Më 15 janar 2020, Ogerta Manastirliu, duke mashtruar se do të zgjerohej dhe përmirësohej cilësia e shërbimit kirurgjikal në spitale, vendosi rritjen e fondit të koncesionit të sterilizimit me 53 milionë euro, sa 50% e vlerës së kontratës fillestare.

Përveç shtimit të fondit, ish-ministrja Manastirliu firmosi edhe urdhrin për pakësimin e numrit të seteve kirurgjikale dhe volumit të shërbimit kirurgjikal që përcaktonte kontrata për 10 vite, duke i krijuar edhe 22 milionë euro fitim tjetër shtesë kompanisë “SaniService Sh.p.k”.
Për këtë koncesion janë në burg ish-ministri Ilir Beqja dhe ish-zëvendësministri Klodian Rrjepaj, ndërsa ish-ministrja Ogerta Manastirliu, e cila ka firmosur 72 milionë euro vjedhje ndaj shtetit, është thirrur dy herë nga BKH dhe SPAK, por u la e lirë të bëhej ministre Arsimi, deputete dhe kandidate për kryetare të Bashkisë së Tiranës.
Por vendimi i Bablokut për “të larë duart” me koncesionin e sterilizimit e ka gëzuar Ogerta Manastirliun, me shpresën se SPAK do ta pushojë hetimin ndaj saj, ndonëse edhe ajo duhet të ishte e arrestuar bashkë me Ilir Beqjen.
Pasi lejoi për 10 vite vjedhjen e rreth 153 milionë eurove, tani që koncesioni përfundoi afatin e kontratës, kryeministri Edi Rama, me Vendim nr. 845, datë 30 dhjetor 2025, ia kaloi shtetit shërbimin e furnizim-sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale, duke krijuar shoqëri publike.
Por SPAK dhe GJKKO, me Vendim nr. 46, datë 22 janar 2024, po e mbajnë të sekuestruar koncesionin e sterilizimit, edhe me administrim nga Agjencia e Pasurive të Sekuestruara.
Kryeministri Edi Rama mendon se do t’i zhdukë gjurmët e vjedhjeve me një “fillim të ri” për shërbimin e sterilizimit, duke hapur letra të reja për aktivitetin sikur nuk ka ekzistuar për 10 vite, por SPAK ka dosjen e kësaj afere, nëpërmjet së cilës firmosën vjedhjet Ilir Beqja, Ogerta Manastirliu dhe në krye të tyre Edi Rama.
Sepse për të vjedhur u sajua koncesioni, megjithëse nuk duhej të ishte bërë, pasi në shumicën e vendeve me sisteme të zhvilluara mjekësore, sterilizimi është pjesë integrale e funksionimit të vetë spitaleve publike, pa kontrata koncesionare private apo operatorë të veçantë juridikë./Pamfleti
