Ish-finalistja e BBV4 tregon rrugëtimin nga muzika te moderimi dhe emocionet që përjeton në programin e dedikuar fëmijëve.
Egli Tako, e njohur nga publiku pas pjesëmarrjes në edicionin e katërt të “Big Brother VIP”, prej disa javësh është pjesë e stafit të “E Diell” në rolin e moderatores së rubrikës “Yes Day”, një format që vendos në qendër fëmijët, emocionet dhe ndjeshmërinë e tyre. E ftuar në “Pardon My French”, ajo ka rrëfyer përvojën e saj në televizion dhe se si ka ardhur natyrshëm ky kalim.
Ajo thotë se roli i moderatores nuk i ka ardhur i huaj. Sipas saj, pavarësisht se nuk e kishte menduar si objektiv të drejtpërdrejtë, ka ndjerë gjithmonë se kishte predispozitë për të qenë pjesë e ekranit në një formë të tillë. Për Egli Takon, të qëndruarit para kamerës, sidomos në një program me fëmijë, është një proces që e bën të ndihet e lirshme dhe e sigurt.
Në lidhje me sfidën për të moderuar një format ku protagonistë janë të vegjlit, ajo tregon se është surprizuar pozitivisht nga mënyra se si kanë komunikuar fëmijët në studio, duke e bërë mjedisin më të lehtë dhe natyror nga sa e kishte imagjinuar.
Ndër momentet më të forta gjatë programit, Egli përmend ato ku emocionet e rrëfimeve të fëmijëve prekin tema që lidhen me familjen, prindërit apo moshën e tretë. Këto, sipas saj, janë situata që e prekin dhe shpesh e çojnë drejt lotëve, pasi prekjen e konsideron pjesë të karakterit të saj.
Ajo shton se, edhe pse rruga profesionale e saj ka nisur nga muzika dhe arti, moderimi është një fushë që duket se po e gjen gjithnjë e më shumë vendin e vet në përditshmërinë dhe identitetin e saj artistik.
