
Dokumentet për ish-zëvendëskryeministrin janë përcjellë te autoritetet zvicerane, ndërsa çështja “Buka” vijon në gjykatë pa praninë e tij.
Ministria e Drejtësisë ka dorëzuar zyrtarisht në autoritetet zvicerane kërkesën për ekstradimin e ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj. Njoftimi u bë publik gjatë seancës së sotme për çështjen “Buka”, ku gjyqtarja Irena Gjoka lexoi përgjigjen e Interpol Tiranës, duke konfirmuar se dokumentacioni është dërguar tashmë në Zvicër.
Ahmetaj akuzohet për shpërdorim detyre dhe dëme ekonomike që llogariten rreth 7 miliardë lekë. Prokurori i SPAK, Elvin Gokaj, lexoi kërkesën për gjykim dhe njoftoi se do të thirren 14 dëshmitarë, përfshirë ish-ministrin Shkëlqim Cani. Sipas tij, hetimet kanë zbuluar edhe një shumë të konsiderueshme parash të transferuar nga Shqipëria drejt një vendi të BE-së, e cila po verifikohet.
Avokati i Ahmetajt, Henrik Ligori, reagoi duke theksuar se klienti i tij nuk ka asnjë masë sigurie për këtë çështje dhe akuzoi prokurorinë për nxitim dhe mungesë transparence: “Nuk mund të kemi një proces të rregullt me akte surprizë. Nëse ka prova të tjera, SPAK duhet t’i paraqesë”, u shpreh ai.
Nga ana e tij, SPAK sqaroi se njoftimi i akuzës ishte i domosdoshëm për shkak të afateve të parashkrimit, ndërsa çështja është ndarë pas mbërritjes së dokumenteve të reja nga Austria. Procesi vijon pa praninë e Ahmetajt, ndërsa pritet përgjigjja përfundimtare nga Zvicra për ekstradimin.
