Pas gati nëntë muajsh kërkim ndërkombëtar, autoritetet spanjolle dorëzuan në Shqipëri të riun e dyshuar për një nga grabitjet më të mëdha të karburantit në vend, të zhvilluar nën hetimin e SPAK.
Një operacion ndërkombëtar i koordinuar nga Interpol Tirana dhe autoritetet spanjolle ka çuar në ekstradimin e 31-vjeçarit Juxhin Koka, i akuzuar për një grabitje të përmasave të mëdha në portin e Durrësit.
Sipas dosjes hetimore të SPAK, ngjarja ka ndodhur në shkurt të vitit 2025, kur Koka, në bashkëpunim me disa persona të tjerë, dyshohet se vodhi rreth 200 mijë litra naftë nga një anije e ankoruar në portin më të madh detar të vendit. Hetimet kanë zbuluar gjithashtu elementë të korrupsionit aktiv, pasi i riu dyshohet se ka ryshfetur punonjës të Policisë për të lehtësuar dhe fshehur veprimet e tij.
Për këtë çështje, Gjykata e Krimeve të Rënda kishte vendosur më herët ndaj tij masën e sigurisë arrest në burg, duke e akuzuar për veprat penale të korrupsionit aktiv, kontrabandës me mallra të akcizës dhe vjedhjes në bashkëpunim.
Operacioni i ekstradimit është zhvilluar në kuadër të fushatës ndërkombëtare të Policisë Shqiptare The Wanted, e cila synon kapjen dhe kthimin në vend të personave të shpallur në kërkim për krime të rënda.
Me mbërritjen e tij në Tiranë, Koka pritet të përballet me hetimet e plota të SPAK dhe me drejtësinë shqiptare për një nga rastet më të bujshme të kontrabandës së karburanteve në territorin shqiptar.
