Interpol Tirana, në bashkëpunim me autoritetet spanjolle, ka finalizuar ekstradimin e shtetasit shqiptar Juxhin Koka, 31 vjeç, në kuadër të operacionit policor ndërkombëtar të koduar “The Wanted”.
Koka akuzohet nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) se në muajin shkurt të vitit 2025 ka korruptuar punonjës të Policisë së Shtetit dhe, në bashkëpunim me persona të tjerë, ka vjedhur rreth 200 mijë litra naftë nga një anije e ankoruar në portin e Durrësit.
Pas shpalljes në kërkim ndërkombëtar, në bazë të masës së sigurisë “Arrest në burg” të caktuar nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), Juxhin Koka u lokalizua në Spanjë dhe u arrestua me qëllim ekstradimi.Pas përfundimit të procedurave ligjore në Madrid, 31-vjeçari u dorëzua autoriteteve shqiptare dhe tashmë pritet të përballet me drejtësinë për veprat penale të “Korrupsionit aktiv ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, “Kontrabandës me mallra që i nënshtrohen akcizës” dhe “Vjedhjes”, kryer në bashkëpunim.Operacioni “The Wanted” vijon si pjesë e bashkëpunimit të ngushtë ndërkombëtar të Policisë së Shtetit me Interpolin, për kapjen dhe ekstradimin e personave të shpallur në kërkim.
