Autoritetet franceze kanë vënë në pranga një shtetas shqiptar të dyshuar si pjesë e një grupi ekstremist të majtë të njohur si “Banda e Çekiçit”, raporton BILD.
Bëhet fjalë për Rexhino A., i quajtur ndryshe edhe “Gino”, i cili kërkohej me urdhër arresti nga Gjermania. Sipas hetimeve, ai dyshohet se ka marrë pjesë në një seri sulmesh të dhunshme në Budapest në shkurt të vitit 2023, ku së bashku me persona të tjerë të rrymës ekstreme të majtë ka goditur anëtarë të dyshuar të skenës neonaziste, duke u shkaktuar plagosje të rënda.
Në mesin e personave të përfshirë në këto ngjarje përmenden edhe Maja T., 24 vjeç, person jobinar, si dhe Lina E., emra të njohur për autoritetet gjermane dhe hungareze për lidhjet e tyre me të njëjtin grup.
Rexhino A. ishte ndaluar edhe më parë nga policia franceze në muajin nëntor, por ishte lënë i lirë në pranverën e vitit 2025, pasi Franca kishte refuzuar në atë periudhë ta dorëzonte drejtësisë hungareze.
Ndërkohë, Maja T. po përballet aktualisht me një proces gjyqësor në Hungari për përfshirje në veprimtari të dhunshme ekstremiste. Në Gjermani, në qytetin e Dresdenit, po zhvillohet gjithashtu një gjyq ndaj Johann Guntermann, 32 vjeç, i konsideruar si udhëheqësi i dyshuar i “Bandës së Çekiçit”, ndërsa Lina E. është dënuar tashmë me disa vite burg.
Mbrojtja ligjore e Rexhino A. ka ngritur shqetësime se një transferim i tij drejt Gjermanisë mund të pasohet nga një ekstradim i mëvonshëm në Hungari, skenar që, sipas avokatit, do të përsëriste rastin e Maja T. Kjo e fundit ishte dorëzuar autoriteteve hungareze në verën e vitit 2024, veprim që më pas u shpall i paligjshëm nga Gjykata Kushtetuese Federale e Gjermanisë.
