
Policia publikon identitetin dhe foton e njërit prej të ndaluarve, teksa dy autorë të tjerë vijojnë të jenë në kërkim.
Ka dalë fotoja e Xhino Agos, 32 vjeç, një prej të arrestuarve për vrasjen e biznesmenit Mondi Mëhalla, i cili u ekzekutua dy ditë më parë. Ago është ish-ortaku i viktimës dhe, sipas burimeve, mes tyre kanë ekzistuar prej kohësh përplasje të forta për ndarjen e fitimit në biznes, çështje që së fundmi ishte shoqëruar edhe me incidente.
Xhino Ago akuzohet për vrasje me paramendim të kryer në bashkëpunim, si edhe për prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve. Ndërkohë, si autorë të dyshuar të ekzekutimit janë shpallur në kërkim Marselo Arani, 32 vjeç, dhe Armando Kola, 35 vjeç, për të cilët policia ka nisur një operacion të zgjeruar.
Gjatë hetimeve është arrestuar edhe Kujtim Pisha, 52 vjeç, roja i karburantit në pronësi të viktimës, i cili akuzohet për moskallëzim krimi, pasi nuk ka dhënë informacione të rëndësishme për ngjarjen.
Rasti ka hapur një tjetër hetim të gjerë lidhur me konfliktet e brendshme në biznesin ku ishte i përfshirë Mëhalla, ndërsa policia vijon kontrollin në disa zona për kapjen e personave të shpallur në kërkim.
