
Uji dhe dherat pushtojnë rrugën, dhjetëra fshatra përballen me vështirësi serioze në lëvizje
Reshjet e forta të shiut kanë shkaktuar kaos në qarkullimin rrugor në qarkun e Elbasanit, duke sjellë probleme serioze në aksin Elbasan–Gjinar. Gjatë gjithë gjatësisë së rrugës raportohet prani e madhe uji dhe dherash, çka e ka bërë lëvizjen e automjeteve të vështirë dhe në disa segmente të rrezikshme.
Në zona të caktuara, rrjedhjet e ujit dhe depozitimi i dherave në karrexhatë kanë detyruar drejtuesit e mjeteve të udhëtojnë me shpejtësi shumë të ulët dhe nën kushte të shtuar rreziku, veçanërisht gjatë orëve të mëngjesit dhe në kushte shikueshmërie të kufizuar.
Situata ka ndikuar drejtpërdrejt në njësinë administrative Gjinar, ku përfshihen fshatrat Lleshan, Gjinar, Valesh, Pashtresh, Derstile, Llukan, Sterstan, Xibresh, Maskarth, Kaferr dhe Pobrat. Banorët e këtyre zonave po përballen me vështirësi të mëdha në lëvizje dhe në aksesin e shërbimeve bazë, ndërsa transporti i përditshëm është ndjeshëm i ngadalësuar.
Autoritetet lokale pritet të ndërhyjnë për pastrimin e rrugës dhe rikthimin e qarkullimit normal, ndërkohë që drejtuesit e mjeteve këshillohen të tregojnë kujdes maksimal, sidomos gjatë reshjeve intensive dhe në orët e natës, deri në përmirësimin e situatës.
