
Deputetja më e votuar e qarkut Elbasan, Sara Mile, ka hedhur një gur të rëndë në ujërat e qeta të Partisë Socialiste, duke akuzuar drejtpërdrejt drejtuesit politikë të zonës për neglizhencë dhe mungesë vizioni. Në një intervistë që ka bërë jehonë, 30-vjeçarja socialiste u shpreh se Elbasani ka mbetur pas në investime dhe zhvillim, për shkak të “përgjumjes” së përfaqësuesve të mëparshëm në Kuvend.
“Investimet duan lobim, duan përkushtim. Por për Elbasanin, për shumë vite s’është bërë asnjë përpjekje serioze për të sjellë fonde dhe projekte. Përfaqësuesit e mëparshëm kanë qenë të përgjumur,” – tha ajo me tone të ashpra.
Mile theksoi se midis qarqeve ekziston një garë e heshtur për të siguruar financime dhe projekte, garë ku sipas saj, Elbasani ka humbur për shkak të mungesës së angazhimit politik lokal.
“Ka një garë të fortë mes qarqeve për të tërhequr vëmendjen e qeverisë. Elbasani ka mbetur në vend, sepse nuk ka pasur kush ta çojë përpara,” -shtoi ajo.
Edhe pse pa përmendur emra konkretë, sulmet e saj duken të drejtuara ndaj Taulant Ballës dhe Arbjan Maznikut, të cilët kanë drejtuar për gati një dekadë strukturat politike të PS në qark. Të dy figurat mbajnë sot poste me peshë në hierarkinë socialiste: Balla si kreu i Grupit Parlamentar, ndërsa Mazniku në krye të Komisionit për Reformën Territoriale.
Sara Mile, e cila u bë surpriza e zgjedhjeve të 11 majit 2025 duke siguruar rezultatin më të lartë të votave në qark, e ka cilësuar këtë mbështetje si frymën e re që qytetarët kërkojnë në politikën shqiptare.
“Fushata jonë ishte ndryshe, me energji, me ide konkrete dhe me një komunikim të ndershëm me qytetarët. Kjo është ajo që njerëzit duan,” -u shpreh ajo.
Me këto deklarata, deputetja e re ka hapur një përçarje të qartë brenda strukturave socialiste të Elbasanit, duke vendosur në shënjestër vetë arkitektët e vjetër të pushtetit lokal. Dhe ndonëse fjalët e saj janë të mbështjella me diplomaci, mesazhi është i qartë: koha e “përgjumjes” politike në Elbasan ka mbaruar.