
Autoritetet në Jharkhand në alarm të lartë, mbi 100 punonjës pyjorë kërkojnë kafshën që endet ende e lirë
Një situatë dramatike po përjetohet në lindje të Indisë, ku një elefant i egër ka shkaktuar vdekjen e të paktën 22 personave brenda vetëm nëntë ditësh, duke përhapur panik në dhjetëra fshatra dhe detyruar banorët të flenë mbi çati apo në pemë për t’i shpëtuar rrezikut.
Ngjarjet kanë ndodhur në distriktin West Singhbhum, në shtetin Jharkhand, rreth 1.100 kilometra në lindje të New Delhit. Sipas autoriteteve, elefanti është një mashkull i ri me një tusk të vetëm dhe dyshohet se ndodhet në fazën musth, një periudhë biologjike që shoqërohet me rritje ekstreme të agresivitetit dhe sjellje të paparashikueshme.
Mes viktimave raportohet se janë edhe katër fëmijë, përfshirë një foshnjë tetë muajshe. Shumica e sulmeve kanë ndodhur gjatë natës, kur banorët ruanin të mbjellat ose flinin jashtë banesave, një praktikë e zakonshme në zonat rurale.
Autoritetet indiane kanë nisur një operacion të gjerë kërkimi. Mbi 100 punonjës të shërbimit pyjor janë angazhuar në terren, prej të cilëve rreth 80 po përpiqen të gjurmojnë dhe qetësojnë elefantin për ta kthyer në habitatin e tij natyror. Sipas zyrtarëve pyjorë lokalë, kafsha lëviz vazhdimisht, veçanërisht gjatë natës, duke e bërë shumë të vështirë lokalizimin.
Zyrtarë të shërbimit pyjor kanë deklaruar se sulmet kanë qenë të pamëshirshme dhe pa dallim. Në disa raste, disa anëtarë të së njëjtës familje kanë humbur jetën. Autoritetet e quajnë këtë situatë të paprecedentë për rajonin, pasi rrallëherë një elefant i vetëm ka qenë përgjegjës për kaq shumë viktima në një periudhë kaq të shkurtër.
Zona është vendosur në alarm maksimal. Banorët janë paralajmëruar të mos dalin nga shtëpitë pas errësirës, ndërsa ekipe të posaçme përdorin sinjale zanore tradicionale për të lajmëruar lëvizjet e mundshme të elefantit.
Ekspertët theksojnë se konflikti mes njerëzve dhe elefantëve në këtë rajon është përkeqësuar vitet e fundit, kryesisht për shkak të shkatërrimit të habitateve, fragmentimit të pyjeve dhe zgjerimit të aktiviteteve njerëzore pranë korridoreve natyrore të kafshëve të egra.
Autoritetet lokale kanë premtuar kompensim financiar për familjet e viktimave, ndërsa përpjekjet për kapjen e elefantit vijojnë pa ndërprerje, me synimin për t’i dhënë fund një serie tragjike ngjarjesh që ka tronditur gjithë rajonin.
