Në takimin me ministrin holandez të Jashtëm, David van Weel, ministrja Spiropali nënshkroi një deklaratë të përbashkët për forcimin e bashkëpunimit në procesin e integrimit europian dhe në fushën e sigurisë e ekonomisë.
Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, zhvilloi sot një vizitë zyrtare në Hagë, ku u prit nga homologu i saj holandez, David van Weel. Qëllimi i takimit ishte thellimi i partneritetit strategjik mes Shqipërisë dhe Holandës, si dhe rritja e mbështetjes për përshpejtimin e rrugëtimit europian të vendit.
Gjatë takimit, dy ministrat nënshkruan një deklaratë të përbashkët për forcimin e bashkëpunimit dypalësh dhe për përparimin e agjendës së integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Dokumenti përfshin angazhime të ndërsjella në fushën e ekonomisë, sigurisë dhe procesit të reformave europiane.
Spiropali falënderoi homologun e saj për qëndrimin mbështetës të qeverisë holandeze dhe për rekomandimin pozitiv që është dërguar në parlamentin e Holandës, i cili hap rrugën për çeljen e grupkapitullit 5 të negociatave brenda muajit nëntor.
Sipas ministres, ky është një hap i rëndësishëm që konfirmon besimin e vendeve anëtare në progresin e reformave dhe përkushtimin e Shqipërisë ndaj standardeve të BE-së. Takimi në Hagë u vlerësua si një sinjal pozitiv për dinamikën e re që po merr procesi i integrimit europian të Shqipërisë.
