
Kina shënon nivelin më të ulët të lindjeve që nga viti 1949, ndërsa vdekjet tejkalojnë ndjeshëm numrin e foshnjave të lindura
Elon Mask ka dhënë një mesazh të drejtpërdrejtë mbi krizën globale të lindshmërisë, në një kohë kur Kina po përballet me rënien më të thellë demografike që nga themelimi i Republikës Popullore në vitin 1949.
Sipas të dhënave zyrtare për vitin 2025, Kina ka regjistruar vetëm 7.92 milionë lindje, ndërsa numri i vdekjeve ka arritur në 11.31 milionë, duke e futur vendin në vitin e katërt radhazi të tkurrjes së popullsisë. Norma e lindshmërisë ka rënë në 5.53 lindje për 1000 banorë, ndërkohë që norma e vdekshmërisë është ngjitur në 8.04 për 1000 banorë.
Duke reaguar në rrjetin social X, Musk deklaroi se rikthimi i lindshmërisë në nivelin e zëvendësimit duhet të jetë prioriteti kryesor për të gjitha vendet. Ky nivel nënkupton numrin mesatar të fëmijëve për grua që nevojitet për të mbajtur popullsinë të qëndrueshme nga një brez në tjetrin.
Sipas Byrosë Kombëtare të Statistikave të Kinës, popullsia e vendit ka vijuar rënien edhe në fund të vitit 2025, pavarësisht përpjekjeve të qeverisë për të stimuluar familjet që të kenë më shumë fëmijë. Edhe pse politika e një fëmije u hoq në vitin 2016 dhe në vitin 2021 u lejua zyrtarisht lindja e tre fëmijëve për çift, efektet kanë qenë minimale.
Autoritetet kineze kanë ndërmarrë masa stimuluese financiare, duke ofruar 3600 juanë për çdo fëmijë nën moshën tre vjeç dhe duke vendosur taksa shtesë mbi kontraceptivët. Megjithatë, këto politika nuk kanë arritur të përmbysin trendin negativ, ndërsa kriza demografike po shihet gjithnjë e më shumë si një kërcënim serioz për ekonominë dhe të ardhmen sociale të vendit.
Paralajmërimi i Musk për Kinën shihet gjithashtu si një sinjal për vendet e tjera, pasi rënia e lindshmërisë po shndërrohet në një problem global me pasoja afatgjata ekonomike dhe gjeopolitike.
