“Nuk kërkoj tjetër njeri” mbetet një nga baladat më të bukura të muzikës shqiptare, një këngë e pavdekshme e dashurisë që vijon të prekë zemrat e publikut edhe pas tre dekadash. Kënga, me tekst dhe muzikë nga Elton Deda, u prezantua për herë të parë në Festivalin e 34-t të Këngës dhe sot u rikthye në vëmendje në Fest 64.
Elton Deda ka rrëfyer se e ka shkruar këtë këngë në moshën 22-vjeçare, ndërsa frymëzimi ka qenë ish-bashkëshortja e tij. Ai kujton se në atë kohë babai i tij nuk ishte i bindur për rrugën e muzikës rock që kishte zgjedhur, duke preferuar që ai të ndiqte muzikën klasike.
“E kompozova këngën pa i treguar askujt se do ta çoja në festival. Ia çova në RTSH në një zarf dhe kur babai e dëgjoi më tha se ishte shumë e bukur. Atëherë e kuptova se kishte diçka të veçantë,” rrëfen Deda, shkruan rtsh.
Kënga u realizua në kushte modeste, në një kat të sipërm të një palalti në 1995,pasi mungonin studiot e mirëfillta muzikore. Elton Deda falënderoi bashkëpunëtorët e tij të asaj kohe, Arjan Gjici në kitarë, Hektor Duri në kitarë bas dhe Shpëtim Saraçin, i cili u kujdes për regjistrimin.
“E bëmë këtë këngë me shumë dashuri dhe edhe sot tingëllon shumë mirë,” theksoi ai.
Në fund, Elton Deda bëri një apel për artistët shqiptarë që të marrin pjesë në Festivalin e Këngës.
“Festivali është një skenë shumë e bukur. Çmimet nuk janë gjithçka, por veprat që krijohen aty mbeten. Na duhen më shumë këngë me peshë dhe krijime edhe më të bukura”, tha ai.
