
Dokumentet e publikuara nga demokratët në Kongres hedhin dyshime për lidhje të mundshme mes Donald Tramp dhe një prej viktimave të Jeffrey Epstein, ndërsa presidenti mohon çdo përfshirje dhe i cilëson akuzat si përpjekje për ta shpërqendruar opinionin nga kriza e “shutdown”.
Një sërë emailesh të publikuara nga Komiteti i Mbikëqyrjes në Dhomën e Përfaqësuesve kanë ndezur një tjetër debat të fortë në Shtetet e Bashkuara. Sipas këtyre mesazheve, të dërguara në vitin 2011 nga i ndjeri financier Jeffrey Epstein drejtuar ish-partneres së tij Ghislaine Maxwell, presidenti aktual Donald Tramp dyshohet se ka kaluar disa orë me një nga viktimat e Epstein.
Epstein shkruan në një prej email-eve: “Dua që ta kuptosh se qeni që nuk ka lehur është Tramp. Viktima kaloi orë të tëra në shtëpinë time me të, por asnjëherë nuk është përmendur.” Identiteti i viktimës është fshehur, ndërsa Maxwell i është përgjigjur: “E kam menduar edhe unë këtë gjë…”
Në një tjetër korrespondencë të vitit 2019, Epstein pretendon se Tramp e dinte për vajzat. Këto zbulime janë cilësuar nga demokratët si arsye e fortë për deklasifikimin e të gjitha dosjeve të mbetura të lidhura me rrjetin e abuzimeve të Epstein.
Menjëherë pas publikimit, presidenti Tramp reagoi në platformën X, duke i quajtur dokumentet “një trillim i pastër politik” dhe akuzoi demokratët se po përpiqen të largojnë vëmendjen nga kriza e mbylljes së qeverisë. “Ata po rikthejnë gënjeshtrën e Epstein për të mbuluar dështimet e tyre,” shkroi ai.
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, pohoi se email-et janë të manipuluara dhe të publikuara në mënyrë selektive. Ajo shtoi se viktima e përmendur është Virginia Giuffre, e cila ka deklaruar disa herë se Trump nuk ka qenë i përfshirë në asnjë sjellje të papërshtatshme dhe se “ishte shumë korrekt në sjelljen e tij”.
Ndërkohë, kongresmeni demokrat Ro Khanna ka reaguar ashpër, duke e cilësuar ngjarjen si një shembull të kulturës së abuzimit të mbrojtur nga njerëz të fuqishëm. “Kjo klasë e lidhur me Epstein duhet të largohet njëherë e përgjithmonë,” tha Khanna, duke theksuar se skandali nuk përfshin vetëm abuzues, por edhe ata që kanë heshtur duke ditur çfarë ndodhte.
Skandali Epstein, i cili përfshin figura të njohura botërore si Bill Clinton, Princi Andrew dhe Ehud Barak, vijon të tronditë politikën amerikane. Pavarësisht thirrjeve për transparencë, administrata amerikane ka refuzuar të publikojë të gjitha dokumentet, duke u justifikuar me “mbrojtjen e privatësisë së viktimave”.
Epstein, i cili u arrestua në vitin 2019 për trafikim të të miturve, u gjet i vdekur në qelinë e tij dy muaj më vonë, në rrethana që ende nxisin teori të shumta konspirative.
