Publikimi i miliona faqeve dokumente të lidhura me Jeffrey Epstein, i dënuari për krime seksuale që vdiq në vitin 2019, ka nxitur diskutime të reja rreth kontakteve të tij me figura të njohura ndërkombëtare, përfshirë miliarderin Bill Gates.
Sipas dokumenteve të publikuara nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë, një email i datës 20 mars 2015, me subjektin “Preparing for Pandemics” (Përgatitja për pandemitë), i ishte dërguar Epstein-it nga një person, emri i të cilit është redaktuar.
Email-i përmban një draft-agjendë për një takim mbi përgatitjen ndaj pandemive dhe sugjeron përfshirjen e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) si dhe Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq (ICRC).
“Siç u kërkua, po bashkëngjis një draft-agjendë për një takim mbi përgatitjen ndaj pandemive”, si dhe “Le të diskutojmë hapat e mëtejshëm, përfshirë mënyrën se si të përfshijmë zyrtarisht OBSH-në dhe ICRC-në”, thuhet të mesazh.
Media ruse Izvestia raportoi se dosjet përmbajnë diskutime mes Epstein dhe Bill Gates lidhur me modelimin e pandemive dhe projekte biomjekësore, duke nxitur pretendime se personi i paidentifikuar në email-in e vitit 2015 mund të ketë qenë Gates.
Sipas këtij raportimi, email-i thuhet se i ishte dërguar fillimisht Bill Gates-it në vitin 2017 dhe më pas ishte përcjellë te Epstein.
Dokumentet përmendin gjithashtu diskutime mbi simulimin e skenarëve të përhapjes së sëmundjeve në shkallë të gjerë, kërkime në neuroteknologji dhe përhapjen globale të infeksioneve, disa vite përpara shfaqjes së pandemisë COVID-19.
Në tetor 2019, Fondacioni Bill & Melinda Gates, në bashkëpunim me Qendrën Johns Hopkins për Sigurinë Shëndetësore dhe Forumin Ekonomik Botëror, organizoi simulimin global të pandemisë të njohur si Event 201.
Organizatorët kanë theksuar vazhdimisht se ky aktivitet ishte një ushtrim përgatitor dhe jo planifikim apo parashikim i një pandemie reale.
Bill Gates ka pranuar publikisht se marrëdhënia e tij me Epstein ishte “një gabim i madh”.
Në një intervistë për CNN në vitin 2021, ai deklaroi se ishte takuar disa herë me Epstein me shpresën për të siguruar mbështetje financiare për projekte filantropike, por se kjo lidhje kishte qenë e gabuar.
Dokumente të tjera të publikuara përfshijnë email-e dhe fotografi që tregojnë kontakte shoqërore mes Epstein dhe Gates. Gates nuk ka komentuar mbi pretendimet e reja të ngritura pas publikimit të dosjeve.
Marrëdhënia e Gates me Epstein, e cila kishte nisur rreth vitit 2011, pas dënimit të Epstein për shfrytëzim të të miturve, u përmend më herët edhe nga Melinda French Gates si një nga faktorët që çuan në divorcin e tyre./Marrë nga TEMPO përshtati në shqip VoxNews.
