

Kryebashkiakia e Durrësit zëvendëson Erion Veliajn, merr drejtimin e strukturës që përfaqëson të gjitha bashkitë e vendit, duke e lidhur misionin e saj me vizionin Shqipëria 2030.
Shoqata Kombëtare e Bashkive të Shqipërisë ka tashmë një kryetare të re. Emiriana Sako, e para e Durrësit, është zgjedhur në krye të kësaj organizate gjatë Asamblesë së Përgjithshme të zhvilluar në Kavajë, duke marrë stafetën nga kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj.
Në fjalën e saj pas zgjedhjes, Sako u shpreh mirënjohëse për mbështetjen e kolegëve dhe theksoi se pushteti vendor ka një përgjegjësi të madhe në realizimin e objektivave kombëtare. “Bashkitë kanë një rol vendimtar në implementimin e vizionit të Shqipërisë 2030 në çdo territor,” -deklaroi ajo.
Mandati i ri në krye të Shoqatës Kombëtare të Bashkive pritet të fokusohet te forcimi i rolit të pushtetit lokal, rritja e bashkëpunimit mes njësive vendore dhe përfaqësimi i interesave të qytetarëve në nivelet më të larta të vendimmarrjes. Për Sakon, kjo është një sfidë e re, pas përvojës së saj në drejtimin e një prej bashkive më të mëdha të vendit, Durrësit.