
Pas dështimit të kabinetit të parë, Sébastien Lecornu rikthehet me një përbërje të diktuar nga Élysée, ku shoqëria civile, burokratët dhe besnikët e Macront bashkohen në një mision të vetëm: miratimin e buxhetit të Francës përpara vitit 2026.
Në Francë, formimi i qeverisë së re “Lecornu II” ka konfirmuar edhe një herë se Emmanuel Macron vazhdon ta ushtrojë ndikimin e tij të plotë mbi Matignon. Pas një takimi treorësh në pallatin Élysée, më 12 tetor, presidenti dhe kryeministri Sébastien Lecornu publikuan listën e 35 ministrave që do të përballen këtë javë në Asamblenë Kombëtare me dy mocione mosbesimi nga të majtët e “La France Insoumise” dhe të djathtët e “Rassemblement National”.
Versioni i dytë i kabinetit vjen vetëm një javë pas dështimit të parë, kur Lecornu u detyrua të japë dorëheqjen pas 14 orësh, mes kritikave për një përbërje tepër macroniste. Tani, ai përpiqet të japë imazhin e një “qeverie misioni”, që sipas tij është përtej interesave personale dhe partive, me synim t’i japë Francës një buxhet përpara fundit të vitit.
Megjithatë, prapa këtij balancimi që përfshin figura nga shoqëria civile, administrata e lartë dhe kampi presidencial, qëndron dora e vetë Macron, i cili e ka udhëzuar Lecornu të ruajë frymën e reformës së viteve të para të tij në pushtet.
Ky kombinim i ri pritet të testohet menjëherë në parlament, ku opozita kërkon ta rrëzojë përpara se të nisë debatin mbi buxhetin e 2026-ës, një sfidë që do të përcaktojë nëse Lecornu mund të qeverisë realisht, apo do të mbetet vetëm një zgjatim i Élysée-së.