Endri Shabani është zgjedhur Avokat i Popullit, pas një procesi votimi në Kuvend që ai e përshkruan si të papritur dhe emocionalisht prekës. Në një status të fundit, Shabani falënderoi deputetët për mbështetjen dhe kontribuimin e tyre gjatë kandidaturës, duke shkruar:
“Mbetem akoma i befasuar me deputetët e opozitës, të cilët fillimisht më inkurajuan me dashamirësi, më dhanë firmat e tyre sipas ligjit dhe më uruan sukses, por më pas vendosën ta braktisnin kandidaturën time a thua se nuk ishte e tyrja.
Nga ana tjetër, deputetët e mazhorancës, fillimisht refuzuan të më jepnin qoftë edhe një firmë, megjithëse disa prej tyre i kam miq, me argumentin se PS nuk do të hynte në këtë punë të opozitës, por në momentin final më votuan që të gjithë, madje me votë të fshehtë, duke më besuar detyrën e Avokatit të Popullit.”
Shabani vlerësoi këtë votë si një akt pjekurie politike dhe theksoi se do të punojë për të ruajtur respektin e të gjithëve në kryerjen e detyrës së tij kushtetuese. Ai falënderoi veçanërisht deputetët e opozitës për mundësinë që i dhanë të kandidojë dhe mazhorancën për besimin që treguan në votimin final.
