
Presidenti turk e cilëson situatën e lindshmërisë “alarm kombëtar”, duke e lidhur rënien e popullsisë me “ndikime të huaja” dhe komunitetin LGBTQ+.
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka ngritur sërish tensionet në debatin publik, teksa ka akuzuar hapur komunitetin LGBTQ+ dhe “praktikat perëndimore” për ndikim të drejtpërdrejtë në rënien e lindshmërisë në vend. Kreu i shtetit deklaroi se Turqia po përjeton një krizë të thellë demografike dhe se qeveria është gati të ndërmarrë masa të reja për mbrojtjen e vlerave tradicionale familjare.
Sipas Erdogan, rënia e popullsisë po arrin nivele të rrezikshme, duke cituar shifrat zyrtare të Institutit Turk të Statistikave (TÜİK), ku tregohet se fertiliteti ka zbritur në vetëm 1,48 fëmijë për grua – shumë poshtë nivelit 2,10 që siguron ruajtjen e stabilitetit demografik.
Presidenti turk deklaroi se kjo situatë nuk është thjesht çështje sociale apo ekonomike, por “sulm ndaj shoqërisë turke”, për të cilin ai fajësoi “rrjete me ideologji të huaja”, mes tyre komunitetin LGBTQ+. Në fjalimin e tij, ai i cilësoi këto ndikime si të rrezikshme dhe të papranueshme për strukturën shoqërore të vendit.
“Ne nuk do të tolerojmë asnjë lloj devijimi që cenon të ardhmen e Turqisë,” tha Erdogan, duke shtuar se qeveria do të veprojë pa asnjë kompromis për të mbrojtur modelin tradicional të familjes. Ai paralajmëroi se institucionet shtetërore do të ndërmarrin masa “të forta dhe të menjëhershme” për t’u përballur me këtë që e quan “kërcënim demografik”.
Deklaratat e fundit janë interpretuar gjerësisht si sinjal i një politike edhe më të ashpër kundër komunitetit LGBTQ+ në Turqi, duke rritur shqetësimet për kufizime të reja kundrejt lirive civile dhe të drejtave të njeriut, ndërsa qeveria i paraqet këto veprime si domosdoshmëri për mbrojtjen e rendit social dhe të ardhmes së popullsisë.
