
Në samitin për paqen në Egjipt, presidenti turk i kërkoi kryeministres italiane të heqë dorë nga duhani, por reagimi i Melonit dhe ndërhyrja e Macron e kthyen momentin në skenë gazetareske plot humor.
Një episod i lehtë por domethënës ndodhi në krah të samitit ndërkombëtar për paqen në Egjipt, ku u mblodhën liderë botërorë për të diskutuar mbi përfundimin e luftës në Gaza. Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan, i njohur për fushatën e tij kundër duhanit, vendosi të përfshijë edhe kryeministren italiane Giorgia Meloni në misionin e tij personal.
Erdogan iu drejtua Melonit me fjalët: “Dukesh shumë mirë, por duhet të të bëj të ndalosh së piri duhan.”
Por përpara se ajo të përgjigjej, presidenti francez Emmanuel Macron, që ndodhej pranë tyre, ndërhyri me shaka: “Është e pamundur!”, duke shkaktuar të qeshura mes liderëve.
Meloni, e njohur për karakterin e saj të drejtpërdrejtë, iu përgjigj me humor: “E di, e di… po e lashë duhanin, mund të vras dikë!”
Në një libër të bazuar në intervista të saj të fundit, Meloni ka pranuar se e kishte lënë duhanin për 13 vjet, por e kishte rifilluar sërish. Ajo madje ka rrëfyer se zakoni e ka ndihmuar të krijojë lidhje të çuditshme miqësie me politikanë të tjerë, përfshirë presidentin tunizian Kais Saied.
Edhe pse biseda mes tre liderëve ndodhi jashtë agjendës zyrtare, momenti u bë shpejt viral në mediat ndërkombëtare, duke treguar një anë më njerëzore dhe ironike të politikës, aty ku, mes diskutimeve për luftë dhe diplomaci, ndonjëherë edhe një cigare bëhet temë ndërkombëtare.