

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, në fjalimin e tij në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork, bëri thirrje për mbështetje të menjëhershme ndaj palestinezëve, duke e quajtur gjendjen në Gaza pika më e ulët e njerëzimit.
“Është dita për të qëndruar krah palestinezëve të shtypur në emër të njerëzimit,” -tha ai, duke falënderuar vendet që kanë njohur shtetin palestinez dhe duke kërkuar nga të tjerët ta bëjnë pa vonesë. Erdogan theksoi se gjatë 23 muajve të fundit në Gaza është vrarë një fëmijë çdo orë dhe miliona banorë janë detyruar të shpërngulen.
Duke treguar fotografinë e një fëmije të uritur, ai pyeti: “A mund të ketë paqe në një botë ku fëmijët vdesin nga uria dhe mungesa e ilaçeve?” Erdogan e akuzoi Izraelin për politikë dëbimi, shfarosjeje dhe masakre, duke shtuar se sulmet janë zgjeruar përtej Gazës, deri në Siri, Iran, Jemen e Liban.
Ai kërkoi armëpushim të menjëhershëm, ndalim të sulmeve dhe leje pa pengesa për ndihmën humanitare, duke paralajmëruar se autorët e gjenocidit do të mbajnë përgjegjësi. “Ata që heshtin ndaj barbarisë në Gaza, janë bashkëfajtorë në këtë mizori,” -tha Erdogan.