Këngëtari Erik Lloshi ka reaguar me dhimbje të thellë për ndarjen e papritur nga jeta të mikut dhe kolegut të tij, Shpat Kasapi, i cili u shua një ditë më parë në moshën 40-vjeçare pas një ataku kardiak. I ftuar në studion e News24, Lloshi tregoi momentet e fundit të komunikimit me Shpatin dhe e përshkroi atë si një njeri të qeshur dhe gjithmonë pozitiv.
“Kam pasur shumë vite miqësi me Shpatin. Më vjen shumë e vështirë të flas, sepse kohët e fundit po frekuentoheshim edhe më shpesh për shkak të një bashkëpunimi që kishim në plan,” u shpreh Lloshi, teksa i përcolli ngushëllimet familjes. Ai shtoi se lajmi e ka tronditur thellë: “Dje, kur u shtriva për të fjetur, isha me shpresën që nuk do të ishte e vërtetë. Na ka dhënë vetëm buzëqeshje, nuk e kam parë kurrë të mërzitur.”
Këngëtari kujtoi edhe bisedën e fundit me Shpatin, vetëm pak ditë para ndarjes së tij nga jeta: “Kam folur ditën e enjte ose të premte. Më tha: ‘Erik, do vij dhe do hedhim këngën.’ Më duket ende e pabesueshme.”
Lloshi tregoi se Kasapi ishte njeri i kujdesshëm ndaj të tjerëve, madje edhe ndaj tij personalisht: “Në një tavolinë, njëherë, nuk u ndjeva mirë dhe Shpati kishte merakun tim. Më thoshte: ‘Kujdesu për veten.’ Nuk pashë kurrë shenja shqetësimi te ai, nuk ishte ankuar për asgjë. Ishte shumë mirë dhe gjithçka erdhi krejt papritur.”
