
E veja e Charlie Kirk zbulon sëmundjen e rëndë të nënës, ndërsa familja ende përballet me humbjen e aktivistit konservator
Erika Kirk, e veja e aktivistit konservator Charlie Kirk, u paraqit në Fox & Friends, ku gjatë fjalës së saj shpërtheu në lot duke treguar se familja e tyre është përballur me një tjetër goditje të rëndë vetëm pak muaj pas vrasjes së bashkëshortit. Ajo zbuloi se nëna e saj po lufton me një sëmundje të rrallë, ndërsa familja vijon të jetojë mes dhimbjes dhe kujtimeve për Charlien, i cili u vra më 10 shtator gjatë një aktiviteti të Turning Point USA në Utah.
Erika foli për ditët e fundit me bashkëshortin, për librin e tij të fundit postum STOP, in the Name of God, si dhe për mënyrën se si përpiqet të mbajë gjallë traditat familjare. Ajo tregoi se mbrëmjet e së premtes në shtëpi mbeten një moment i shenjtë, larg telefonave e ekraneve, ku familja ulet bashkë, diskuton dhe ruan afërsinë që Charlie adhuronte. Mes rrëfimit, ajo pranoi se kujtimet e vogla e thyejnë shpesh emocionalisht, duke përmendur se edhe shikimi i shishes së salcës së tij të preferuar në supermarket i sjell një dhembje të papërballueshme.
Duke folur për çështjen e faljes së autorit të dyshuar të vrasjes, Tyler Robinson, Erika pranoi se procesi është i vështirë, por theksoi se besimi e udhëheq drejt paqes. Ajo kujtoi fjalimin e mbajtur në memorialin publik në Arizona, ku deklaroi se zgjedh të falë në emër të besimit kristian dhe në nder të asaj që, sipas saj, do të dëshironte edhe Charlie.
Sot, Erika është në krye të Turning Point USA dhe përpiqet të mbajë familjen bashkë përballë dhimbjes së dyfishtë. Ajo theksoi se do të vazhdojë të udhëheqë pa urrejtje në zemër, duke u mbështetur te besimi dhe dashuria për të vazhduar jetën mes sfidave që i kanë goditur njëra pas tjetrës.
