Veliaj kërkoi të mos ulej në kafazin e të pandehurve dhe të njihte aktet e dosjes, ndërsa seanca pritet të përcaktojë nëse çështja kalon për gjykim.
Në Gjykatën e Posaçme zhvillohet sot seanca paraprake për kryetarin e bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ku do të vendoset nëse dosja e tij do të kalojë apo jo për gjykim të plotë. Seanca e mëparshme është shtyrë për shkak të kërkesës së Veliajt për t’u njohur me materialet e çështjes, ndërsa ai ka kërkuar edhe heqjen e detyrimit për të qëndruar në kafaz gjatë seancave gjyqësore, duke e konsideruar këtë si cenim të të drejtave të tij.
Veliaj ndodhet në paraburgim nga muaji shkurt dhe ndaj tij rëndojnë akuza për pastrim parash, mosdeklarim pasurie, korrupsion pasiv në disa episode, shpërdorim detyre dhe futje të sendeve të ndaluara në qeli. Një seri vendimesh gjyqësore e kanë mbajtur në arrest me burg, ndërsa ai ka kundërshtuar masën duke iu drejtuar institucioneve më të larta të drejtësisë.
Më 3 nëntor, Gjykata Kushtetuese e la Veliajn në detyrë si kryebashkiak duke shfuqizuar vendimin e qeverisë për shkarkimin e tij dhe dekretin presidencial për shpalljen e zgjedhjeve në Tiranë. Më 27 nëntor ai iu drejtua sërish Kushtetueses, këtë herë për shfuqizimin e vendimeve që mbajnë në fuqi masën e paraburgimit.
Sytë janë sot tek GJKKO, ku pritet vendimi që mund të përcaktojë vazhdimësinë e çështjes dhe të ardhmen juridike e politike të Erion Veliajt.

