
Ish-deputeti demokrat deklaron se synon të garojë për postin e kryetarit në të ardhmen, por tani fokusi i tij mbetet tek beteja opozitare dhe mobilizimi i qytetarëve.
Ervin Salianji, një nga figurat më aktive të Partisë Demokratike, ka folur hapur për ambiciet e tij politike, duke pranuar se në të ardhmen mund të kandidojë për postin e kryetarit të PD. Megjithatë, ai theksoi se ky nuk është momenti i duhur për një garë të tillë.
Në një intervistë televizive, Salianji tha se aktualisht është i përqendruar tek beteja opozitare dhe tek kontaktet me qytetarët, duke e konsideruar këtë periudhë vendimtare për forcimin e opozitës dhe jo për gara të brendshme.
Ai theksoi se Partia Demokratike duhet të fokusohet në rikthimin e besimit publik dhe në ndërtimin e një strategjie të qartë për ndryshim politik në vend. “Në këtë moment, më e rëndësishme është të forcojmë opozitën dhe të dëshmojmë se ajo është mjeti për ndryshim, jo për interesa personale,” u shpreh Salianji.
Sipas tij, një nga mjetet kryesore që opozita duhet të përdorë janë protestat masive në rrugë, të cilat, siç tha ai, mund të shërbejnë për të paralizuar mekanizmat e pushtetit dhe për të kërkuar zgjedhje të ndershme. “Duhet të ketë protesta të forta dhe të organizuara për të detyruar qeverinë të japë llogari. Raporti i OSBE-ODIHR tregoi qartë se sistemi zgjedhor ka probleme serioze, dhe ne duhet të reagojmë,” shtoi ai.
Edhe pse nuk përjashton mundësinë e një kandidimi në të ardhmen, Salianji e bëri të qartë se aktualisht prioritet i tij mbetet beteja për një opozitë më të fortë dhe një Shqipëri me institucione të pavarura.